

Shqipëria do të ndikohet këtë të hënë, më 27 korrik 2026, nga masa ajrore të paqëndrueshme, të cilat do të sjellin mot me vranësira dhe reshje shiu në një pjesë të madhe të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, reshjet do të nisin që në orët e para të ditës në veriperëndim, për t’u shtrirë gradualisht në zonat veriore dhe lokalisht në qendër të vendit. Në veriperëndim priten reshje me intensitet mesatar deri të lartë, të shoqëruara me shtrëngata, stuhi, shkarkesa elektrike dhe, në zona të veçanta, edhe me breshër.
Gjatë mesditës, reshjet do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët, ndërsa në veriperëndim dhe pjesërisht në qendër priten reshje me intensitet mesatar dhe episode të herëpashershme shtrëngatash. Në orët e pasdites, reshjet do të kufizohen kryesisht në zonat malore, ndërsa në mbrëmje pritet përmirësim i motit dhe ndërprerje e reshjeve në të gjithë territorin.
Era do të fryjë nga kuadrati jugor me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa në bregdet, zonat luginore dhe gjatë zhvillimit të vranësirave priten intervale me shpejtësi deri në 20 m/s.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






