

SHBA – Elon Musk ka deklaruar se do të prodhojë një version të ri të "Odisesë" së Homerit, të krijuar tërësisht me inteligjencë artificiale përmes modelit të tij Grok, duke pretenduar se do të jetë "historikisht më besnik" se filmi i regjisorit Christopher Nolan.
Prej muajsh, Musk ka kritikuar adaptimin kinematografik të Nolanit, veçanërisht zgjedhjet në kast, të cilat ai i ka cilësuar si të motivuara nga axhenda "woke". Filmi, ku interpretojnë Matt Damon, Anne Hathaway, Zendaya dhe Lupita Nyong’o, u shfaq në kinema këtë fundjavë dhe u prit me vlerësime të larta nga kritika dhe publiku.
Në një postim në platformën X, Musk publikoi një video të krijuar me Grok, ku paraqitej një kast alternativ për "Odisean". Më pas, ai mbështeti edhe propozimin e një përdoruesi që regjisori Mel Gibson të realizojë një version të ri të filmit me një buxhet prej 100 milionë dollarësh, duke përdorur dialogë nga poema origjinale dhe greqishten homerike.
Musk kishte kritikuar më herët edhe përzgjedhjen e aktores Lupita Nyong’o për një nga rolet kryesore, si dhe pjesëmarrjen e aktorit transgjinor Elliot Page, duke pretenduar se Nolan kishte bërë këto zgjedhje për të fituar çmime kinematografike.
Megjithatë, pavarësisht polemikave, "Odisea" pati një debutim shumë të suksesshëm në kinema, duke arkëtuar 264 milionë dollarë në fundjavën e parë dhe duke marrë një vlerësim prej 97% nga publiku në Rotten Tomatoes.
Aktorja Lupita Nyong’o iu përgjigj kritikave në muajin maj, duke deklaruar se kasti i filmit "përfaqëson botën ku jetojmë" dhe se nuk kishte ndërmend të humbiste kohë duke iu përgjigjur sulmeve.
Edhe vetë Christopher Nolan minimizoi polemikat, duke u shprehur se debatet e krijuara përpara publikimit të filmit janë "pjesë e lojës" dhe se njerëzit duhet ta gjykojnë veprën vetëm pasi ta kenë parë.
Deklaratat e Musk kanë nxitur reagime edhe nga komuniteti i kinemasë. Regjisori Scott Derrickson, i njohur për filmat Doctor Strange dhe The Black Phone, shkroi në platformën X se Musk "nuk kupton asgjë nga kinemaja" dhe se opinionet e tij për artin "nuk kanë asnjë vlerë".
Kjo nuk është hera e parë që Elon Musk kritikon prodhime të mëdha hollivudiane. Më herët ai ka sulmuar edhe filmat "Barbie" dhe "Borëbardha", duke i akuzuar për promovimin e një agjende "woke", megjithëse këto polemika nuk kanë ndikuar në suksesin e tyre në arkat botërore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






