

ITALI – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën bregdetare të Peschicit, në rajonin e Pulias, duke detyruar autoritetet italiane të evakuojnë qindra turistë dhe pushues.
Roja Bregdetare bëri të ditur se deri tani mbi 400 persona janë larguar përmes detit, pasi kjo ishte rruga e vetme e sigurt për evakuim.
"Deri tani, më shumë se 400 turistë dhe pushues janë evakuuar përmes detit, e cila ishte rruga e vetme e mundshme për largim", njoftoi Roja Bregdetare.
Sipas autoriteteve, operacioni i evakuimit vijon, ndërsa pritet të largohen edhe rreth 300 persona të tjerë nga zona e rrezikuar.
Në aksion janë angazhuar gjashtë anije të Rojes Bregdetare, tre mjete të Rojes Doganore, si dhe dhjetëra mjete private lundruese që po ndihmojnë në transportimin e turistëve drejt zonave të sigurta.
Ndërkohë, zjarrfikësit, të mbështetur nga avionët Canadair, vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët. Nga zona ngrihen shtëllunga të mëdha tymi, të dukshme edhe nga distanca të largëta.
Kryetari i Bashkisë së Peschicit, Luigi d’Arenzo, deklaroi se situata është aktualisht nën kontroll, ndërsa pritet mbërritja e një tjetër avioni Canadair nga Roma për të forcuar operacionin e shuarjes së zjarrit.
Autoritetet italiane po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit në zonën turistike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






