Transmetuar më 26-07-2026, 18:22

Ekonomi – Blerja e një banese në Shqipëri kërkon mesatarisht 15.7 vite të ardhura të plota nga paga mesatare, pa përfshirë shpenzimet e jetesës, taksat dhe kostot e tjera familjare. Sipas raportit më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2010–2023, Shqipëria renditet ndër vendet evropiane me diferencën më të madhe mes fuqisë blerëse të qytetarëve dhe çmimeve të pasurive të paluajtshme.

Sipas të dhënave të raportit, vetëm Monako dhe Serbia kanë një hendek më të lartë mes nivelit të të ardhurave dhe kostos së banesave.

Ndërkohë, në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, ky tregues ka shënuar përmirësim gjatë viteve të fundit. Në Shqipëri, përkundrazi, situata është përkeqësuar, veçanërisht pas vitit 2015, pasi çmimet e pronave janë rritur me ritme më të shpejta se të ardhurat e familjeve.

Raporti i OKB-së nënvizon se përballueshmëria e banesave në Shqipëri është ulur ndjeshëm, duke e bërë më të vështirë për shumë familje sigurimin e një shtëpie.

Përveç çmimeve të larta të tregut imobiliar, raporti evidenton edhe probleme të tjera që lidhen me kushtet e strehimit. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Evropë për sigurinë strukturore të banesave, me rreth 80% të popullsisë që jeton në ndërtesa të konsideruara të sigurta dhe të ndërtuara me materiale të qëndrueshme.

Një tjetër problem i rëndësishëm është mbipopullimi i banesave. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 58% e popullsisë shqiptare jeton në banesa të mbipopulluara, ku sipas standardeve ndërkombëtare një banesë konsiderohet e mbipopulluar kur numri i banorëve tejkalon kapacitetin e saj të përcaktuar.

Me këtë tregues, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të mbipopullimit të banesave në Evropë, vetëm pas Malit të Zi.

Të dhënat pasqyrojnë presionin në rritje mbi tregun e strehimit, ku rritja e çmimeve të pronave, ritmi i pagave dhe mungesa e alternativave të përballueshme vazhdojnë të krijojnë vështirësi për qytetarët që synojnë të blejnë një banesë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit