Transmetuar më 26-07-2026, 16:59

Michigan – Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Michiganit në Shtetet e Bashkuara, ku tetë persona janë gjetur të pajetë brenda një banese në Grand Haven Township, pranë liqenit Michigan. Sipas autoriteteve amerikane, dyshohet se viktimat i përkasin së njëjtës familje.

Ngjarja u zbulua të premten, pasi shërbimet e emergjencës morën një njoftim për zjarr në banesë. Pas mbërritjes në vendngjarje, ekipet e ndërhyrjes gjetën trupat e pajetë të tetë personave.

Sipas të dhënave paraprake, mes viktimave dyshohet se janë gjashtë fëmijë të moshës nga 5 deri në 15 vjeç. Autoritetet kanë bërë të ditur se disa prej viktimave dyshohet se kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Hetuesit e kanë cilësuar vendngjarjen si një rast kompleks dhe po punojnë për të përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi tragjedia. Deri më tani nuk raportohet për persona të dyshuar jashtë banesës.

Autoritetet janë në pritje të rezultateve të autopsisë, të cilat pritet të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet dhe mënyrën e vdekjes së viktimave.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të një prej rasteve më të rënda të regjistruara kohët e fundit në këtë zonë të Shteteve të Bashkuara.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit