

Berlin – Një person humbi jetën dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur, tre prej tyre në gjendje kritike, pasi një automjet u përplas me turmën pranë festimeve të Paradës së Krenarisë (Pride) në Berlin. Autoritetet gjermane janë vënë në ndjekje të një 21-vjeçari, i cili dyshohet se ka lidhje me qarqe islamiste.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, pak para orës 22:00, duke ndërprerë një nga paradat më të mëdha të këtij lloji në Evropë, ku po merrnin pjesë qindra mijëra persona. Pjesëmarrësit u larguan me panik nga zona, ndërsa sirenat e policisë dhe shërbimeve të emergjencës u dëgjuan gjatë gjithë natës.
Sipas Policisë së Berlinit, automjeti i dyshuar u gjet i braktisur pranë parkut Tiergarten. Menjëherë pas incidentit u nis një operacion i gjerë kërkimi, me përfshirjen e helikopterëve dhe forcave policore nga disa lande të Gjermanisë.
Autoritetet kanë identifikuar si të dyshuar një 21-vjeçar me emrin Abdul B. dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në kapjen e tij. Policia paralajmëron se ai mund të jetë i armatosur dhe konsiderohet i rrezikshëm.
Zëdhënësi i Policisë së Berlinit, Florian Nath, deklaroi se i dyshuari besohet të ketë lidhje me "qarqe islamiste", ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur motivet e sulmit.
Sipas autoriteteve, automjeti, i ngjashëm me një SUV ose minifurgon, hyri në parkun Tiergarten dhe goditi disa persona. Zëdhënësi i zjarrfikësve të Berlinit, Dominik Pretz, bëri të ditur se tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa rreth 30 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për shkak të gjendjes së shokut.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu raportime sipas të cilave disa persona mund të jenë plagosur edhe me mjete të mprehta. Dëshmitarët kanë deklaruar se një ose më shumë persona janë parë duke dalë nga automjeti pas përplasjes.
Një dëshmitar, i cili ndodhej pranë skenës kryesore të paradës te Porta e Brandenburgut, tha se aktiviteti u ndërpre papritur, pasi policia u kërkoi pjesëmarrësve të largoheshin menjëherë nga zona.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar atë si një "akt të tmerrshëm", dhe u zotua se autorët do të përballen me drejtësinë. Ai bëri të ditur se po informohet vazhdimisht për zhvillimet së bashku me ministrin e Brendshëm, Alexander Dobrindt.
Edhe kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një akt brutal kundër një tubimi që promovon një Berlin tolerant dhe paqësor.
Për sigurinë e Paradës së Krenarisë ishin angazhuar mbi 2 mijë efektivë policie, ndërsa pas sulmit operacioni u zgjerua me forca shtesë nga e gjithë Gjermania, të mbështetura edhe nga helikopterë me kamera termike.
Ngjarja rikthen në vëmendje një seri sulmesh të rënda që kanë goditur Gjermaninë vitet e fundit, përfshirë sulme me automjete dhe me thikë në hapësira publike, të cilat kanë nxitur debat të gjerë mbi sigurinë në vend. Hetimet për sulmin në Berlin vijojnë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






