

Prishtinë – Pavarësisht investimeve në teknologji, rritjes së prodhimit dhe mbështetjes financiare përmes subvencioneve shtetërore, industria e qumështit në Kosovë vazhdon të mos ketë qasje në tregun e Bashkimit Evropian. Arsyeja kryesore mbetet mungesa e një certifikate veterinare të njohur nga BE-ja, e cila është kusht i domosdoshëm për eksportin e produkteve me origjinë shtazore.
Si pasojë, prodhuesit kosovarë janë të kufizuar në tregun vendor dhe në disa vende të rajonit, ndërsa përfaqësuesit e industrisë paralajmërojnë se kjo situatë po pengon zhvillimin e sektorit, duke lënë të pashfrytëzuara kapacitetet prodhuese dhe duke krijuar vështirësi për fermerët në shitjen e qumështit.
Gani Durmishi, nga Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës, thotë se pengesa kryesore lidhet me faktin se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ende nuk është autorizuar nga Bashkimi Evropian për të lëshuar certifikata veterinare të vlefshme për eksport.
Sipas tij, kapacitetet prodhuese ekzistojnë, por mungesa e dokumentacionit zyrtar po i mban të bllokuara eksportet.
Nga ana tjetër, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për arsyet që Kosova ende nuk ka marrë këtë autorizim, ndërsa edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë nuk është përgjigjur mbi kriteret që mbeten të paplotësuara.
Ish-kryeshefi ekzekutiv i AUV-së, Valdet Gjinovci, shpjegon se njohja nga BE-ja kërkon një sistem të plotë kontrolli, që përfshin regjistrimin e kafshëve, monitorimin e sëmundjeve, kontrollin e ushqimit për kafshë, inspektimet në ferma dhe fabrika, analizat laboratorike dhe mbikëqyrjen e të gjithë zinxhirit të prodhimit.
Sipas tij, Kosova ka bërë progres, por ende duhet të harmonizojë legjislacionin dhe sistemin veterinar me standardet evropiane. Ai shton se vendi ndikohet edhe nga fakti që nuk është anëtar i Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve.
Përfaqësuesit e industrisë theksojnë se shumë fabrika nuk punojnë me kapacitet të plotë pikërisht për shkak të mungesës së tregjeve të reja.
"Ka qumështore që mund të përpunojnë deri në 100 mijë litra qumësht në ditë, por shumica punojnë vetëm një ndërrim, ndërsa disa edhe më pak, sepse nuk kanë ku ta shesin prodhimin", deklaron Durmishi.
Ai shton se ekziston interes nga kompani në Gjermani dhe Zvicër për të importuar produkte të qumështit nga Kosova, por eksporti mbetet i pamundur pa përmbushjen e procedurave institucionale.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2024 industria e qumështit në Kosovë prodhoi produkte me vlerë 135.2 milionë euro, ndërsa në vend funksionojnë 48 impiante të miratuara për përpunimin dhe paketimin e qumështit.
Megjithatë, prodhimi vendas mbulon vetëm rreth 66 për qind të kërkesës së tregut, ndërsa pjesa tjetër sigurohet përmes importeve.
Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, vlerëson se kompanitë kosovare kanë bërë investime të konsiderueshme dhe kanë arritur standardet e kërkuara për eksport, por sipas tij, problemi mbetet te institucionet.
Ai e cilëson mungesën e certifikimit si pasojë të mungesës së vullnetit politik ndër vite dhe vlerëson se procesi mund të ishte përfunduar brenda dy vjetësh.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti eksportet e produkteve të qumështit drejt Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi arritën në rreth 478 mijë euro, ndërsa vetëm eksporti i kosit kapërceu vlerën e 90 mijë eurove.
Në të njëjtën periudhë, importi i produkteve të qumështit ishte mbi 12 milionë euro, ndërsa vetëm importi i kosit kaloi 2 milionë euro.
Edhe statistikat e vitit 2024 tregojnë një pabarazi të theksuar tregtare. Kosova importoi produkte të qumështit me vlerë rreth 31 milionë euro, ndërsa eksportet arritën vetëm në rreth 331 mijë euro.
Sipas ekspertëve, kjo diferencë nuk lidhet me mungesën e kapaciteteve prodhuese, por me pamundësinë për të depërtuar në tregjet më të mëdha evropiane.
Përfaqësuesit e industrisë dhe ekspertët ekonomikë vlerësojnë se hapja e tregut të Bashkimit Evropian do të rriste prodhimin vendas, numrin e fermerëve dhe të punësuarve, si dhe do të ulte varësinë e Kosovës nga importet.
Ndërkohë, hapja e tregut evropian për produktet e qumështit mbetet një nga objektivat e shpallura nga Qeveria e Kosovës, e cila ka premtuar mbështetje për certifikimin sipas standardeve të BE-së dhe zgjerimin e eksporteve. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik një afat konkret për përmbushjen e kushteve që do t’i hapnin rrugën eksporteve të produkteve shtazore drejt tregut evropian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






