

Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 25 korrik në Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 22-vjeçar. Si rezultat i veprimeve hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin dhe nën drejtimin e Prokurorisë, kanë shpallur në kërkim shtetasin K. N., 47 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 47-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në këmbë shtetasin V. P., 22 vjeç, banues në të njëjtin fshat. I riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se, pas plagosjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë automjetin e 22-vjeçarit nën kërcënimin e armës.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë sekuestruar dy gëzhoja, në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e 47-vjeçarit dhe gjetjen e automjetit, ndërsa hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje", "Vjedhja me armë" dhe "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






