

Rritja e fluksit të turistëve gjatë sezonit veror është shoqëruar edhe me shtimin e rasteve të abuzimeve me çmimet në disa prej destinacioneve turistike të vendit. Nga paketat turistike që ndryshojnë çmim pas prenotimit deri te produktet bazë të tregtuara me tarifa shumë më të larta se vlera reale, ankesat e konsumatorëve kanë ardhur në rritje.
Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka ngritur alarmin, duke evidentuar raste kur çmimet e reklamuara nuk kanë përputhur me ato të kërkuara nga operatorët pas mbërritjes së turistëve në destinacion. Sipas institucionit, pushues vendas dhe të huaj janë përballur me ndryshime të papritura të kostos së paketave turistike dhe të shërbimeve të ofruara.
Drejtori i Ankesave pranë Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa, thekson se një tjetër problematikë e konstatuar lidhet me rritjen e pajustifikuar të çmimeve për produktet bazë, veçanërisht për ujin e pijshëm, i cili në disa raste është shitur disa herë më shtrenjtë se çmimi i furnizimit.
Sipas Stafës, praktika të tilla cenojnë të drejtat e konsumatorëve dhe dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar, duke ndikuar negativisht në përvojën e vizitorëve.
Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorit u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të intensifikojnë kontrollet në terren dhe të garantojnë zbatimin e legjislacionit për transparencën e çmimeve. Sipas saj, vetëm përmes mbikëqyrjes efektive dhe respektimit të standardeve të tregut mund të sigurohet një sezon turistik i drejtë, konkurrues dhe me mbrojtje më të madhe për konsumatorët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






