

VLORË – Të tjera detaje janë zbardhur nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit në aksin Vlorë–Llogara, në zonën e Dukatit, ku humbi jetën një person dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas informacionit paraprak, furgoni transportonte punëtorë, të cilët dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit për në vendin e punës. Për arsye që po hetohen, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin, duke bërë që furgoni të dalë nga rruga dhe të përplaset me një bordurë betoni në anë të aksit.
Përplasja ishte tepër e fortë, duke shkaktuar dëmtime të rënda në mjet. Për nxjerrjen e të plagosurve u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat prenë pjesë të konstruksionit të furgonit, pasi pasagjerët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave.
Si pasojë e aksidentit, humbi jetën 52-vjeçari Ilir Haka. Të plagosur mbetën Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë. Tre nga të përfshirët në aksident, Ilir Haka, Saimir Haka dhe Qazim Haka, janë pjesëtarë të së njëjtës familje.
Të lënduarit u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morg për veprimet përkatëse.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






