

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit në aksin Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit, ku një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:10, kur një furgon që transportonte punëtorë, të cilët dyshohet se po udhëtonin nga Tirana drejt bregdetit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje 52-vjeçari Ilir Haka. Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë.
Për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme të mjetit, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ishte e nevojshme për nxjerrjen e të plagosurve, të cilët kishin mbetur të bllokuar në kabinën e furgonit.
Të lënduarit u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin trajtim mjekësor. Ndërkohë, grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






