

Rebelët jemenas Huthi kanë deklaruar se kanë kryer një sulm raketor ndaj Arabisë Saudite, ndërsa tensionet mes palëve janë rritur pas sulmeve të fundit në Jemen. Autoritetet saudite nuk kanë komentuar menjëherë pretendimet.
LINDJA E MESME – Rebelët Huthi në Jemen kanë pretenduar se kanë sulmuar me raketa territorin e Arabisë Saudite, në një zhvillim që shton shqetësimet për një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon.
Sipas mediave të lidhura me grupin Huthi, sulmi ka shkaktuar zjarre në zonën e Jizanit, në jug të Arabisë Saudite. Po këto burime raportuan se dy civilë janë plagosur.
Media e rebelëve, “Ansarollah”, deklaroi se bëhej fjalë për një “sulm ajror jemenas”, ndërsa autoritetet saudite nuk kanë dhënë një konfirmim apo mohim për këto pretendime.
Sulmi vjen disa orë pasi Huthit paralajmëruan kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore saudite në Jemen. Më 24 korrik, burime të sigurisë në Jemen thanë se Arabia Saudite kishte goditur disa objektiva të rebelëve Huthi në zonën e Hodeidës, përfshirë bazën detare Ras al-Kathib, ishullin Kamaran dhe një objekt telekomunikacioni pranë një porti.
Riadi ka deklaruar më herët se operacionet e tij synojnë objektiva që përbëjnë kërcënim për sigurinë e lundrimit tregtar, ndërsa Huthit kanë paralajmëruar sulme ndaj anijeve saudite në Detin e Kuq.
Më herët gjatë javës, rebelët pretenduan se kishin goditur dy anije saudite. Arabia Saudite konfirmoi se anija NCC MASA kishte pësuar dëmtime të lehta, por kishte vijuar lundrimin.
Përshkallëzimi i fundit ka ngritur shqetësime edhe për sigurinë e rrugëve të transportit të naftës, veçanërisht në Detin e Kuq, në një kohë kur tensionet rajonale kanë ndikuar në trafikun detar.
Shkëmbimi i sulmeve rrezikon gjithashtu të dobësojë armëpushimin de facto mes Huthive dhe qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht, i cili ka mbajtur në masë të madhe një periudhë qetësie që prej vitit 2022.
Arabia Saudite ka mbështetur qeverinë e Jemenit në konfliktin me rebelët Huthi që nga ndërhyrja ushtarake e vitit 2015, megjithëse përplasjet ndërkufitare ishin reduktuar ndjeshëm vitet e fundit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






