Transmetuar më 25-07-2026, 22:29

Protestuesit vijuan tubimin në Tiranë duke marshuar nga bulevardi drejt Komisariatit nr. 3, ku kërkuan lirimin e personave të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar pranë Parlamentit.

TIRANË – Qytetarët që po protestojnë kundër qeverisë kanë vijuar marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit, duke lëvizur nga bulevardi drejt Komisariatit nr. 3.

Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, protestuesit kaluan fillimisht pranë zonës së “Ushtarit të Panjohur” dhe më pas u drejtuan drejt zonës së “Mine Pezës”, ku ndodhet Komisariati nr. 3.

Gjatë marshimit, protestuesit kërkuan lirimin e personave të arrestuar pas përplasjeve të ndodhura gjatë protestës pranë Parlamentit ditën e enjte.

Pjesëmarrësit kanë deklaruar se vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale, ndërsa kanë akuzuar klasën politike për korrupsion dhe keqqeverisje.

Mes thirrjeve të dëgjuara gjatë marshimit kanë qenë: “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”.

Aktivisti Edison Lika deklaroi se protesta do të vijojë edhe ditët në vijim, duke bërë thirrje që qytetarët të mblidhen të hënën përpara Parlamentit për të vazhduar aksionin kundër qeverisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit