Transmetuar më 25-07-2026, 23:40

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda ka komentuar përballjen mes Anthony Joshuas dhe boksierit shqiptar Kristian Prenga, duke deklaruar se britaniku nuk duhet të ketë asnjë justifikim në rast humbjeje.

Tyson Fury ka bërë një deklaratë të fortë në prag të përballjes mes Anthony Joshuas dhe Kristian Prengës, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e Joshuas në boks nëse ai nuk arrin të fitojë sfidën e radhës.

Joshua dhe Prenga do të përballen të shtunën në Arabinë Saudite, ndërsa Fury, i cili pritet të duelojë me Joshuan në nëntor nëse të dy triumfojnë në ndeshjet e tyre të ardhshme, ka komentuar pritshmëritë nga kjo sfidë.

Në një intervistë për “BoxingScene”, Fury u shpreh se Joshua duhet të fitojë me çdo kusht.

“Nëse nuk mund të fitojë kundër Prengës, ai duhet ta harrojë boksin”, deklaroi Fury.

Britaniku vijoi me kritika ndaj boksierit shqiptar, duke e cilësuar atë si një kundërshtar me pak eksperiencë në nivelet më të larta të këtij sporti.

“Prenga është si ajo që amerikanët do ta quanin një konservë domatesh. Fjalë për fjalë si një kundërshtar i zgjedhur lehtë. Pa tingëlluar mungesë respekti ndaj tij”, u shpreh Fury.

Ai gjithashtu ngriti pikëpyetje mbi nivelin e kundërshtarëve me të cilët është përballur deri tani Prenga.

“Ai nuk është përballur me askënd. As me dikë që mund të thuash se është një boksier i fortë. Askush. Dhe njëri prej tyre madje e ka nokautuar”, shtoi ish-kampioni britanik.

Deklaratat e Fury kanë shkaktuar reagime në prag të sfidës, ku Kristian Prenga synon të surprizojë botën e boksit përballë Anthony Joshuas, një prej emrave më të njohur të peshave të rënda.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit