Transmetuar më 25-07-2026, 21:17

Familjarët e Kosta dhe Belere Plakut kanë përcjellë për në banesën e fundit çiftin e vrarë në ngjarjen tragjike në Vidhisht të Roskovecit. Vëllai i viktimës ngre pretendime për kërcënime të mëparshme dhe kërkon përgjegjësi nga institucionet.

ROSKOVEC – Kosta dhe Belere Plaku janë përcjellë këtë të shtunë për në banesën e fundit, një ditë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku u qëlluan me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre, Refit Buzi.

Në një prononcim për Euronews Albania, vëllai i Kostës ka rrëfyer momentet e para pas ngjarjes, ndërsa ka pretenduar se konflikti dhe kërcënimet ndaj familjes kishin nisur më herët dhe se ishin bërë denoncime pranë institucioneve.

Ai tregoi se ka dëgjuar të shtënat në orët e para të mëngjesit dhe menjëherë ka njoftuar Policinë.

“Kam qenë në gjumë në shtëpi. Ishte rreth orës 05:20-05:30 kur dëgjova krismat. U zgjova menjëherë, dyshova se kishte ndodhur diçka e rëndë, njoftova Policinë dhe mora makinën për të shkuar atje. Kur mbërrita, ai kishte qëlluar, kishte marrë mbesën dhe ishte larguar”, u shpreh ai.

Sipas tij, problemet kishin zgjatur prej më shumë se një viti dhe familja kishte kërkuar mbrojtje për Rozalindën.

“Mbesa e kishte denoncuar në Tiranë, sepse i dilte përpara dhe i zinte rrugën. Ajo mori urdhër mbrojtjeje, i cili është ende në fuqi deri në dhjetor”, deklaroi ai.

Më tej, familjari pretendoi se pas daljes nga masa e sigurisë, kërcënimet ndaj familjes kishin vijuar.

“Për rreth 40 ditë dërgonte çdo ditë mesazhe kërcënuese në forma të ndryshme”, tha ai.

Sipas rrëfimit të tij, familja kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve, ndërsa pretendon se masat e marra nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Kur një person është përsëritës, masat duhet të ashpërsohen, jo ta lëshosh. Kjo tragjedi nuk erdhi vetëm nga veprimet e një njeriu, por edhe nga dështimi për të zbatuar ligjin”, u shpreh ai.

Duke folur për gjendjen e mbesës, ai tha se ende nuk kishte mundur të komunikonte me të për shkak të traumës së përjetuar.

“Me mbesën, Rozalidën, ende nuk kam folur. Do të ulem ta dëgjoj, por është e traumatizuar”, tha ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Kosta Plaku humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaku, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Pas krimit, autori mori peng ish-bashkëshorten e tij, e cila u lirua më pas pas negociatave me Policinë. Më pas, Refit Buzi i dha fund jetës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit