

Protesta vijon sot në Tiranë, ku qytetarët do të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Tubimet e ditëve të fundit janë shoqëruar me kërkesa për ndryshime politike dhe reagime ndaj disa çështjeve të qeverisjes.
Qytetarët zhvillojnë sot ditën e 56-të të protestës, e cila pritet të nisë në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”. Pas grumbullimit, protestuesit do të vijojnë marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Protesta, e cila ka vijuar prej disa javësh, është fokusuar fillimisht te kundërshtimi i projektit që prek zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ndërsa gjatë zhvillimit të saj janë ngritur edhe shqetësime të tjera që lidhen me korrupsionin, qeverisjen dhe problematika ekonomike e sociale.
Gjatë tubimeve të mëparshme, protestuesit kanë kërkuar ndryshime të thella politike dhe institucionale, duke shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë dhe klasës politike.
Marshimet në Tiranë kanë përfshirë disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa qytetarët janë ndalur edhe pranë institucioneve të tjera, përfshirë Parlamentin, ku kanë përcjellë mesazhet e tyre.
Në protestat e zhvilluara deri tani janë dëgjuar thirrje të ndryshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, mes tyre: “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Edi Rama në burg”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”.
Pritet që protesta e mbrëmjes së sotme të shoqërohet me prezencë të shtuar të qytetarëve, ndërsa mbetet për t’u parë reagimi i institucioneve ndaj zhvillimeve të reja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






