

TIRANË – Partia Socialiste propozon që bashkitë e Dropullit, Finiqit dhe Pustecit të mos preken nga Reforma Administrativo-Territoriale, duke argumentuar se ato përfaqësojnë zona me përqendrim të lartë të pakicave kombëtare dhe kërkojnë trajtim të veçantë.
Propozimi është përfshirë në raportin e Reformës Administrativo-Territoriale 2.0, të hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe të dorëzuar në Kuvend nga deputetët socialistë.
Sipas raportit, në Shqipëri jetojnë mbi 65 mijë qytetarë që janë vetëdeklaruar pjesë e pakicave kombëtare. Komuniteti më i madh është ai grek, me 23.485 banorë, i ndjekur nga komuniteti egjiptian me 12.375, rom me 9.813, bullgar me 7.057, boshnjak me 2.963, arumun me 2.459, maqedonas me 2.281, serb me 584 dhe malazez me 511 banorë.
Raporti bazohet në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave, nga 2.402.113 banorë, 2.186.917 janë vetëdeklaruar me përkatësi etnike shqiptare. Ndërkohë, 134.451 persona nuk kanë të dhëna të disponueshme për përkatësinë etnike, ndërsa 13.507 kanë zgjedhur të mos deklarohen.
Dokumenti thekson se reforma e re administrativo-territoriale nuk duhet të mbështetet vetëm në tregues ekonomikë, financiarë apo demografikë, por edhe në garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe ruajtjen e identitetit të tyre kulturor.
Sipas raportit, kufijtë administrativë ndikojnë drejtpërdrejt në përfaqësimin vendor, përdorimin e gjuhës, aksesin në shërbime publike dhe ushtrimin e të drejtave të komuniteteve minoritare. Për këtë arsye, çdo ndryshim në hartën territoriale duhet të shoqërohet me konsultime me komunitetet përkatëse dhe me një analizë të ndikimit që mund të ketë mbi to.
Socialistët veçojnë si raste të veçanta bashkitë e Dropullit, Finiqit dhe Pustecit, duke argumentuar se, edhe në rast të një reduktimi të ardhshëm të numrit të bashkive për arsye demografike apo financiare, këto njësi vendore nuk duhet të vlerësohen vetëm mbi bazën e treguesve ekonomikë.
Raporti rikujton gjithashtu se legjislacioni shqiptar parashikon që në njësitë vendore ku pakicat kombëtare përbëjnë mbi 20% të popullsisë, ato kanë të drejtë të kërkojnë përdorimin e gjuhës së tyre në marrëdhëniet me institucionet vendore, si edhe vendosjen e emërtimeve dygjuhëshe për rrugët, njësitë administrative dhe treguesit topografikë.
Në dokument përmenden gjithashtu bashkitë e Hasit dhe Konispolit si zona me profil të fortë identitar, ndërsa theksohet se çdo vendimmarrje për reformën e re territoriale duhet të ruajë kohezionin social, traditat historike dhe të drejtat e pakicave kombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






