

TIRANË – Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama e ka humbur betejën politike me qytetarët protestues, pavarësisht prezantimit të dokumentit strategjik “BESA”, të bërë publik një ditë më parë.
Në një intervistë për A2 CNN, Malaj u shpreh se qeveria duhet të kishte reflektuar shumë më herët ndaj shqetësimeve të qytetarëve dhe kritikoi reagimin e institucioneve vetëm pas shpërthimit të protestave.
Sipas tij, administrata publike është po aq e prekur nga keqqeverisja sa edhe qytetarët, ndërsa shtoi se të vetmit që nuk ndihen të shqetësuar janë, sipas tij, patronazhistët dhe ata që përfitojnë nga abuzimet.
“Vetë këta qeveritarë duhet të reflektojnë. Si mund të reagojë administrata publike vetëm kur ka protesta? Ata janë qytetarë të këtij vendi dhe preken po aq sa çdo qytetar tjetër nga keqqeverisja. Të vetmit që nuk shqetësohen janë patronazhistët, ata që kanë mbyllur sytë përballë abuzimeve dhe që përfitojnë prej tyre”, u shpreh Malaj.
Ish-ministri shtoi se reforma në administratën publike duhej të ishte ndërmarrë prej kohësh, përmes mekanizmave ligjorë dhe institucionalë.
Duke komentuar situatën politike, Malaj tha se, sipas vlerësimit të tij, kryeministri Rama “është i vdekur politikisht”, duke argumentuar se ai ka arritur nivelin më të ulët të marrëdhënies me opinionin publik.
“Nga pikëpamja njerëzore nuk kam asgjë personale me të, por politikisht, duke përdorur një metaforë të njohur, Rama është i vdekur politikisht. Ai ka arritur pikën më të ulët të marrëdhënies me opinionin publik”, deklaroi ai.
Malaj iu referua edhe mënyrës se si, sipas tij, media ndërkombëtare ka pasqyruar zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke pretenduar se protestat dhe situata politike janë interpretuar si shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj qeverisjes.
Në përfundim, ai u shpreh se zemërimi i qytetarëve nuk mund të zbutet përmes propagandës apo kontrollit politik dhe kritikoi edhe mënyrën e reagimit të Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit, duke e cilësuar atë të papërshtatshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






