Transmetuar më 25-07-2026, 19:17

TIRANË – Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar ndaj prezantimit të dokumentit strategjik “BESA” nga kryeministri Edi Rama, duke e kritikuar përdorimin e konceptit të besës në diskursin politik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku shprehet se “për besën po flasin njerëz që nuk ia kanë idenë se çfarë është ajo”, duke argumentuar se ky nocion përfaqëson një marrëveshje të pashkruar mes njerëzve, të lidhur ngushtë me vendin dhe traditën.

Sipas saj, besa nuk mund të ndahet nga toka, mali dhe vendi ku jeton njeriu, pasi ato kanë qenë historikisht dëshmitarët dhe themeli i këtij kodi moral.

“Njeriu nuk mund t’i japë besën tjetrit duke ia prerë besën vendit ku jeton”, shkruan Koçeku, duke shtuar se ata që e shohin tokën vetëm si hapësirë për ndërtimin e kullave shumëkatëshe apo resorteve e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë koncept.

Deputetja thekson se, sipas traditës së Malësisë, besa është e lidhur me rrënjët dhe trashëgiminë shpirtërore të komunitetit. Ajo shton se edhe në rastet kur njerëzit kërkojnë pajtim për konfliktet më të rënda, besa kërkohet pranë kullës së të parëve, logut apo kishës së vjetër të fshatit, si vende që simbolizojnë lidhjen me traditën.

Në përfundim të reagimit të saj, Koçeku shprehet se njerëzve që humbasin lidhjen me tokën, vendin dhe natyrën “nuk mund t’u zihet besë”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit