

TIRANË – Është bërë publik dokumenti strategjik “BESA”, të cilin kryeministri Edi Rama e prezantoi një ditë më parë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Dokumenti parashikon që projekti i Vjosë-Nartës të shërbejë si testi i parë i zbatimit të kësaj metode, ndërsa brenda 90 ditëve do të merret një vendim i arsyetuar për hapat e mëtejshëm lidhur me projektin në Zvërnec.
Sipas dokumentit, Metoda BESA synon të ndërtojë një proces të bazuar në dëgjim publik, analizë të provave dhe transparencë institucionale, pa cenuar kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore apo proceset gjyqësore në zhvillim.
Në dokument theksohet se testi nuk niset nga një vendim i parapërcaktuar për vazhdimin ose ndalimin e projektit. Alternativat e parashikuara përfshijnë vazhdimin me garanci shtesë, korrigjimin, kushtëzimin, rikonceptimin ose ndërprerjen e projektit, në varësi të ligjit, kontratave dhe provave të administruara.
Brenda afatit 90-ditor parashikohet të zhvillohen dëgjesa publike, të publikohet dokumentacioni që lejohet nga ligji, të realizohet një vlerësim paraprak dhe të merret vendimi për hapat pasues. Çdo detyrim që kërkon më shumë kohë do të publikohet me afate të përcaktuara, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në platformën Flamingo Mirror.
Dokumenti parashikon zhvillimin e dëgjesave me banorët e zonës, peshkatarët, përfaqësues të biznesit, studiues, studentë dhe grupet që kanë protestuar kundër projektit. Sipas tij, procesi nuk do të ketë karakter mediatik, por do të zhvillohet përmes tryezave dëgjimore të regjistruara dhe të dokumentuara.
Një tjetër element i metodës është hartimi i një vlerësimi të pavarur për ndikimin mjedisor dhe ekonomik të projektit, bazuar në standarde ndërkombëtare dhe ekspertizë të jashtme të përzgjedhur përmes një procedure transparente. Gjithashtu, do të publikohen kontratat, vendimmarrjet dhe dokumentet përkatëse në masën që lejohet nga legjislacioni në fuqi.
Metoda BESA përfshin shtatë mekanizma kryesorë: dëgjesën publike, dosjen e evidencës, memorandumin shpjegues, indeksin e kujdesit, panelin e performancës, rishikimin pas veprimit dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm.
Pjesë e këtij procesi është edhe platforma digjitale Flamingo Mirror (Pasqyra e Flamingos), e cila do të shërbejë si ndërfaqja publike për ndjekjen e të gjithë procesit. Në të do të publikohen kalendari i veprimeve, dokumentet e lejuara, raportet e dëgjesave, statusi i angazhimeve të marra dhe vendimet përfundimtare.
Sipas dokumentit, pas përfundimit të testit, platforma do të mbetet mekanizmi i përhershëm i Metodës BESA për trajtimin e çështjeve me interes të lartë publik, me funksionin për të dokumentuar premtimet, provat, afatet dhe vendimmarrjet, duke garantuar transparencë dhe gjurmueshmëri të procesit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






