Transmetuar më 25-07-2026, 15:11

KAVAJË – Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Kavajë në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, i riu, me inicialet S.B., u lokalizua dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pas një bashkëpunimi mes FAST Albania, strukturave operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatit të Policisë Kavajë.

26-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", të parashikuar nga Kodi Penal italian.

Sipas autoriteteve italiane, ai dyshohet se ishte pjesë e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, por edhe italianë, e cila merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa zona të Italisë. Për këtë vepër penale, legjislacioni italian parashikon një dënim maksimal deri në 24 vjet burg.

Policia bëri të ditur se Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 26-vjeçarit drejt Italisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit