Transmetuar më 25-07-2026, 15:09

TIRANË – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me shkeljet e rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke i cilësuar ato një kërcënim serioz për sigurinë në rrugë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari publikoi të dhëna nga kontrollet e Policisë së Shtetit, sipas të cilave vetëm gjatë natës së kaluar janë evidentuar 206 raste të automjeteve që qarkullonin me shpejtësi nga 150 deri në 212 km/h në segmentin rrugor Lezhë–Fier, ku kufiri maksimal i lejuar është 90 km/h.

Ministri theksoi se drejtimi i automjeteve me shpejtësi ekstreme rrezikon jetën e drejtuesve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, duke shtuar se automjeti nuk duhet të shndërrohet në një mjet që vë në rrezik jetën e qytetarëve.

Ai paralajmëroi se ndaj drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit nuk do të ketë tolerancë, ndërsa nënvizoi se teknologjia inteligjente e përdorur nga Policia e Shtetit mundëson identifikimin e çdo shkeljeje dhe zbatimin e masave administrative e ligjore pa përjashtim.

"Rrugët nuk do t’ua lëmë në dorë atyre që sillen si kamikazë në timon", u shpreh ministri Lamallari në reagimin e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit