

ROSKOVEC — Janë zbardhur detajet e plota dhe dinamika tronditëse e krimit të rëndë të regjistruar në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ngjarje e cila la pas tre viktima dhe tronditi mbarë opinionin publik.
Sipas informacioneve dhe dëshmive të siguruara, rreth orës 05:00 të mëngjesit, 35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi është futur i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka. Në ato momente, bashkëshortët Kosta (Arben) Plaka dhe Belere (Burbuqe) Plaka po përgatiteshin të niseshin për në punë.
Menjëherë sapo ka hyrë brenda, autori ka hapur zjarr ndaj tyre. Kosta Plaka ka ndërruar jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte mësuese në zonë, mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë mbrëmjen e asaj dite.
Pas kryerjes së krimit, 35-vjeçari mori me forcë 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje të mëparshme prej nëntë vitesh, dhe u largua nga pjesa e pasme e banesës. Ai u drejtua drejt fshatit Kurjan, ku pas ndjekjes nga forcat e policisë, e la të renë të lirë dhe pa lëndime.
Operacioni për kapjen e tij zgjati për disa orë. Pavarësisht negociatave të pandërprera të forcave speciale dhe efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilat vazhduan për rreth shtatë orë, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe në fund i dha fund jetës duke vrarë veten me armë zjarri.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






