Transmetuar më 25-07-2026, 11:55

Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar "SIGURIA". Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas

Informacionet që policia kishte arritur të mblidhte për një lokal në Shkodër ku dyshohej se qarkullonin armatim dhe lëndë të forta narkotike, bëri që gjatë natës duke gdhirë dita e sotme të zhvillohej një operacion për të kapur me presh në duar personat e përfshirë.

Ndaj në përpjekje  për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar "SIGURIA".

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 42 vjeç, banues në Shkodër; A. I., 18 vjeç, banues në Shkodër dhe I. A., 18 vjeç, banues në Londër.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit E. K., i cili ndodhej në ambientet e një lokali në lagjen "Vasil Shanto", në Shkodër, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, dhe një doze të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.

Gjithashtu, në momentin e kontrollit, së bashku me shtetasin E. K. ndodheshin shtetasit A. I. dhe I. A., të cilët u arrestuan në flagrancë për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Sakaq gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. I. u gjet dhe u sekuestrua një cigare me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit