Transmetuar më 25-07-2026, 10:48

Eksperti i mjedisit, Olsi Nika, analizoi në studion e MCN faktorët që ndikojnë në ndotjen e ujërave në plazhe. Nika tha se në raport me vitin 2021, ujërat me cilësi të mirë kanë rënë në mënyrë drastike, ndërsa tha se ujërat më problematike janë ato të plazheve në porto Romano, në Durrës dhe Vlorë.

"Deti ndotet edhe nga lumenjtë. Ndotësi kryesor është njeriu, aktiviteti urban dhe industrial. Përgjegjësia mbetet shpesh jetime. Përgjegjës është ai që ndot. Ka tentativa të transferimi të përgjegjësisë te ai që duhet të pastrojë.

Pas reformës territoriale, në bazë të ligjit janë bashkitë ato që janë përgjegjëse për pastrimin e ujërave. Ka impiante të trajtimit të ujërave të zeza, por ato nuk arrijnë të mbledhin gjithë sasinë. Ndotja në Durrës mund të vijë edhe prej Tiranës.

Ndërtimet kanë efektet e tyre, kur flitet për shkarkime të inerteve. P.sh. i gjithë ndërtimi në Sarandë reflektohet në botën nënujore, e cila ka ndryshuar totalisht. Tani i ngjan një landfilli gjigant. Por ne po flasim për cilësinë e ujit, e cila ndotësin kryesor ka shkarkimet e ujërave të patrajtuara.

Edhe bujqësia është ndotës i ujit. Të gjitha kimikatet që përdoren përfundojnë në lumë dhe nga aty në det. Ndotësit kryesorë janë ushqyesit, nitratet dhe fosfatet.

Shqipëria ka regres, që ka filluar në 2021. Në atë kohë kishim 70% të ujërave larës me cilësi të mirë, por tani kemi rreth 16.8 %.

Disa nga plazhet e Durrësit nuk janë të rekomandueshëm për t’u larë. Plazhi i Porto Romanos është i parekomandueshëm. Edhe në Vlorë ka plazhe që nuk rekomandohen. Bashkitë duhet të marrin masa", apeloi ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit