

Arrestohet pronari i një servisi në Astir, dyshohet se mashtroi disa klientë dhe tentoi t’u shiste automjetet
Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, pasi dyshohet se ka mashtruar disa klientë që i kishin lënë makinat për riparim.
Operacioni i koduar “Skema” u finalizua nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pas kallëzimeve të disa qytetarëve. Sipas tyre, automjetet nuk ishin riparuar, edhe pse pagesat ishin kryer.
Në pranga u vu Mirian Hasa, 37 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”. Deri tani, policia ka dokumentuar gjashtë raste, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka edhe persona të tjerë të dëmtuar.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, në disa raste, 37-vjeçari dyshohet se ka tentuar të shesë automjetet që klientët i kishin lënë në servis për riparim.
Gjatë operacionit u sekuestruan pesë automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






