

Sociologu Gëzim Tushi përballë gjuhës së përdorur nga adoleshentët dhe ndikimit të rrjeteve sociale, kërkon që prindërit të bëhen prindër për së dyti në këtë moshë të fëmijëve ta tyre.
Duke folur për “MCN”, ai tha se po rritet ideologjia e adoleshentit të fortë dhe ky është një rrezik i shtuar.
Ndërsa psikologia Erisa Aliaj, nënvizon nevojën që prindi t’i shpjegoj fëmijës kufijtë dhe pse duhen ata.
Nga ana e tij psikologu Skënder Ravolli, thotë se situata aktuale e adoleshentëve vjen për shkak të ndikimit të rrjeteve sociale dhe medias.
Çfarë thotë dr. Gëzim Tushi

"Kriza që po shfaqet është gjithnjë dhe më e agravuar qoftë në marrëdhëniet mes adoleshentëve mes tyre, por edhe mes adoleshentëve dhe prindërve. Duhen analizuar dy shkaqe kryesore, thelbësore. Së pari kjo situatë e adoleshentëve është e lidhur me faktorët e tyre të brendshëm.
Adoleshenca duhet kuptuar, duke nisur nga parimi se adoleshentët e sotëm, nuk janë ata të djeshmit, janë materie tjetër. Jo më kot psikologët dhe sociologët e quajnë moshë plastike, pasi ka kontradiktat e brendshme, mendore dhe emocionale.
Adoleshenti në shumë raste kontradiktat e brendshme nuk është në gjendje as t’i kuptojë dhe as t’iu japë përgjigje dhe për rrjedhojë ndërton marrëdhënie konfliktuale, edhe me prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë. Së dyti janë dhe faktorët e jashtëm.
Adoleshentët e sotëm, më shumë se sa janë faktorë janë viktimë e rrethanave sociale ku ata rriten. Dobësimi i rolit të familjes, mungesa e sistemit të komunikimit mes prindërve dhe adoleshentëve, është ndër shkaktarët.
Po rritet ideologjia e adoleshentit të fortë, që për të arritur këtë situatë, mund të përdorësh gjuhë vulgare, të mos dëgjosh prindërit, mësuesit. Kur fëmija bëhet adoleshent, duhet të bëhesh prind për së dyti dhe prindi duhet të bëjë një revolucion të madh."
Psikologia Erisa Aliaj:
"Adoleshentët sot jetojnë mes një presioni dhe kaosi mendor, social dhe ekonomik dhe nuk ka si të përkthehet ndryshe përveçse me ato sjellje që ne i shohim përditë. Për mua fatkeqësia më e madhe ndodh se e drejta për të prindëruar, nuk vjen sipas kapacitetit.
E para gjë që duhet të kenë parasysh prindërit, është të jenë pak më shumë elastik me fëmijët e tyre. Prindërit shpesh janë mësuar që autoriteti te fëmija, fitohet dujke ushtruar dhunë qoftë fizike dhe qoftë psikologjike.
Janë të papërgatitur se si të qëndrosh autoritar përballë fëmijëve, në aspektin që fjala e prindit për fëmijën është ligj. Detyra e prindit është jo vetëm të vendosë kufijtë, por edhe të shpjegojë se pse duhen këta kufij.
Psikologu Skënder Ravolli:
"Ditët e sotme vihet re ndikimi i rrjeteve sociale, teknologjisë dhe medias. Më parë nuk kanë qenë kaq prezente sa sot dhe krahasimi ka qenë shumë i ulët.
Ekspozimi në rrjetet sociale i anës më të mirë, bën që adoleshentët të kërkojnë gjithnjë e më shumë t’iu ngjasojnë këtyre modeleve.
Ne shohim se si një person që hyn në TikTok shan dhe fyen, merr më shumë vëmendje se sa një artist apo dikush tjetër. Edhe në televizione modelet që shikojmë janë ata që nuk duhen ndjekur realisht."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






