

ROMË – Carlo Ancelotti ka refuzuar mundësinë për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Italisë, duke vendosur të vijojë projektin e tij në krye të kombëtares së Brazilit.
Prapaskenat janë zbuluar nga Paolo Maldini, i cili konfirmoi se ai dhe Leonardo zhvilluan bisedime me trajnerin italian përpara se të kontaktonin Pep Guardiolën.
"Nuk mund ta mohojmë se kemi folur edhe me Carlo Ancelottin përpara se të flisnim me Guardiolën. Menduam se ishte e drejtë të fillonim me ata që i konsideronim trajnerët më të mirë në botë. Prandaj donim të kuptonim nëse ishin të disponueshëm", u shpreh Maldini.
Megjithatë, Ancelotti vendosi të mos pranojë ofertën për të drejtuar "Azzurrët", duke preferuar të vazhdojë punën me "Seleçaon".
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, objektivi i trajnerit italian është të udhëheqë Brazilin në Kupën e Amerikës 2028 dhe më pas në Kupën e Botës 2030.
Më herët, edhe Pep Guardiola kishte refuzuar ofertën e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), duke e lënë këtë të fundit në kërkim të një alternative për stolin e kombëtares.
Pas përgjigjeve negative nga dy prej trajnerëve më të vlerësuar në futbollin botëror, FIGC po shqyrton emra të tjerë për drejtimin e Italisë. Aktualisht, Andrea Pirlo konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e katër herë kampionëve të botës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






