Transmetuar më 25-07-2026, 08:16

UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte në qendër të vëmendjes gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë (WHCA), ku ndërthuri humorin me kritikat ndaj mediave.

Ceremonia u zhvillua për të festuar lirinë e shtypit, pasi edicioni i planifikuar disa muaj më parë ishte shtyrë për shkak të një incidenti me të shtëna me armë. Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të mediave të mëdha amerikane, përfshirë The New York Times, CNN dhe The Wall Street Journal, me të cilat Trump ka pasur shpesh përplasje publike dhe procese gjyqësore.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti amerikan përsëriti kritikat ndaj mediave, duke i cilësuar disa prej tyre si përhapëse të "lajmeve të rreme". Ai përdori edhe termin "Sindroma e Çrregullimit të Trumpit", një shprehje që e përdor shpesh për të përshkruar, sipas tij, qëndrimin e kritikëve ndaj figurës së tij.

Megjithatë, Trump ruajti një ton humoristik gjatë mbrëmjes dhe bëri shaka me të pranishmit.

"Ndonjëherë mendoj se disa prej jush nuk më pëlqejnë," u shpreh ai, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Në një tjetër moment, ai e cilësoi darkën si "mbledhjen më të madhe të njerëzve me ‘Sindromën e Çrregullimit të Trumpit'", duke ironizuar kritikat e vazhdueshme që, sipas tij, merr nga mediat.

Pavarësisht toneve kritike, Trump u ngrit në këmbë për të përgëzuar gazetarët fitues të çmimeve, mes tyre edhe ekipin e The Wall Street Journal, i vlerësuar për raportimet mbi lidhjet e presidentit me financierin Jeffrey Epstein.

Presidentja e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Weijia Jiang, deklaroi se organizata nuk do të lejonte që sulmi i armatosur i muajit prill të ndërpriste këtë traditë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shtypit. Ajo njoftoi gjithashtu se edicioni i ardhshëm do të zhvillohet sërish në hotelin Washington Hilton, ku ndodhi incidenti.

Gjatë ceremonisë u nderua edhe oficeri i Shërbimit Sekret, Victor Gonzalez, i cili mbeti i plagosur gjatë sulmit dhe u vlerësua për veprimet e tij.

Në fjalën e tij, Trump bëri thirrje për respektimin e lirisë së shprehjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes debatit.

"Ne i zgjidhim mosmarrëveshjet tona jo me plumba, por me debat të hapur dhe të fortë. Asnjë person i armatosur nuk do ta ndryshojë këtë," deklaroi presidenti amerikan.

Në aktivitet morën pjesë rreth 700 të ftuar, ndërsa masat e sigurisë ishin të shtuara. Zona përreth hotelit u vu nën mbikëqyrje të rreptë, me prani të policisë dhe Gardës Kombëtare, ndërsa pjesëmarrësit iu nënshtruan kontrolleve të shumta të identitetit dhe sigurisë.

I dyshuari për sulmin e ndodhur në prill, 31-vjeçari Cole Tomas Allen, përballet me akuza për tentativë vrasjeje ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara. Sipas autoriteteve, ai u neutralizua nga agjentët e Shërbimit Sekret pak para se të hynte në sallën ku po zhvillohej ceremonia.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit