Transmetuar më 25-07-2026, 08:09

RROGOZHINË – Egnatia vijon rrugëtimin europian me një skenar që mbetet i favorshëm edhe në rastin më pesimist. Edhe nëse eliminohet si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në Ligën e Europës, skuadra rrogozhinase do të ketë mundësinë të luajë në fazën "play-off" të Ligës së Konferencës.

Sipas projeksioneve të publikuara nga Football Meets Data, nëse Egnatia nuk arrin të kalojë Celjen në Ligën e Kampionëve dhe më pas eliminohet edhe nga humbësi i çiftit Ararat Armenia–Shamrock Rovers në Ligën e Europës, aventura europiane nuk do të përfundojë.

Në këtë skenar, kampionët e Shqipërisë do të siguronin një vend në turin e katërt dhe të fundit të Ligës së Konferencës, ku do të luftonin për një biletë drejt fazës së ligës. Megjithatë, për shkak të koeficientit të ulët në renditjen e UEFA-s, Egnatia do të ishte pjesë e vazos së skuadrave jofavorite në short.

Projeksionet bazohen në ecurinë e mundshme të skuadrave kampione në kompeticionet europiane. Për shembull, parashikohet që Drita të avancojë në turin e tretë të Ligës së Konferencës, ndërsa çiftet ku përfshihen humbësit lidhen me ekipet që, njësoj si Egnatia, garojnë në turin e dytë të Ligës së Kampionëve dhe pritet të kalojnë në Ligën e Europës pas eliminimit.

Sipas këtij skenari, rivalët e mundshëm të Egnatias në fazën "play-off" të Ligës së Konferencës do të ishin:

Fituesi i çiftit Drita – Tre Fiori; Fituesi i çiftit Borac Banja Luka – Vitebsk; Humbësi i çiftit Lincoln Red Imps – Kairat; Humbësi i çiftit KuPS Kuopio – Universitatea Craiova; Fituesi i çiftit Riga – ETO Győr.

E gjitha mbetet në nivel projektesh, pasi rrugëtimi i Egnatias dhe i skuadrave të tjera do të përcaktohet nga rezultatet e tureve të ardhshme në garat europiane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit