

PRISHTINË – Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është i gatshëm të kandidojë për postin e presidentit të Kosovës, nëse një propozim i tillë do të vijë nga partitë opozitare.
Në një intervistë për “Tëvë1”, Haradinaj tha se nuk po ofrohet vetë për këtë post, por do ta pranonte kandidaturën nëse opozita do ta vlerësonte si kandidat të përbashkët.
“Nëse opozita do të hynte në garë me emrin tim si propozim për president, unë do të isha i gatshëm. Nuk po ofrohem, por nëse ata e vlerësojnë se duhet të jem kandidat, do ta pranoja kandidaturën”, u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi se nuk do të pranonte një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për këtë çështje, duke kërkuar një proces ku të përfshihen edhe partitë opozitare.
Haradinaj deklaroi se për funksionimin e demokracisë në Kosovë duhet të ketë komunikim mes pozitës dhe opozitës, ndërsa kritikoi qasjen e kryeministrit Albin Kurti lidhur me zgjedhjen e presidentit.
“Kurti nuk i ka fituar të gjitha votat që vetëm ai të vendosë për çdo gjë në Kosovë”, tha Haradinaj, duke shtuar se presidenti duhet të jetë rezultat i një procesi ku marrin pjesë edhe forcat opozitare.
Sipas tij, nëse synohet një proces demokratik, duhet të ketë kandidatura dhe mbështetje nga të dyja kampet politike, ndërsa jo vetëm një kandidat i propozuar nga mazhoranca.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






