Transmetuar më 24-07-2026, 22:38

TIRANË – Personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmësit e tyre personalë do të përfitojnë pagesat e reja duke nisur nga 1 gushti 2026, së bashku me diferencën financiare që u takon për muajin korrik.

Shërbimi Social Shtetëror ka sqaruar zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar më 22 korrik, i cili parashikon ndryshime në skemën e përfitimeve për këtë kategori.

Sipas njoftimit zyrtar, edhe pse vendimi është miratuar në fund të muajit korrik, efektet financiare të tij nisin nga 1 korriku 2026. Për këtë arsye, përfituesit nuk do të humbasin asnjë të drejtë të krijuar dhe pagesat do të llogariten sipas vlerave të reja.

Paketa e re sociale parashikon dyfishimin e pagesës për mbi 10 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, njohjen e periudhës së shërbimit si vite kontributi për rreth 14 mijë e 600 ndihmës personalë, si dhe lehtësimin e procedurave të KEMP-it për rastet kur përfitimi është i përcaktuar për periudha shumëvjeçare.

Sipas qeverisë, masat e reja kanë një kosto financiare prej mbi 15 milionë eurosh për vitin 2026 dhe synojnë rritjen e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.

Shërbimi Social Shtetëror ka garantuar se zbatimi i vendimit do të kryhet në mënyrë të plotë dhe se përfituesve do t’u respektohen të gjitha të drejtat e përcaktuara në aktin e ri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit