

SETUBAL, PORTUGALI – Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Portugali, pasi një vajzë 18-muajshe ka humbur jetën pasi dyshohet se ka qëndruar për rreth tetë orë brenda një autobusi shkolle në zonën Almada të Setubalit.
Sipas raportimeve të agjencisë portugeze të lajmeve Lusa, vogëlushja Sofia hipi në autobusin e shkollës rreth orës 08:00 të mëngjesit të së enjtes, me qëllim që të dërgohej në një qendër kujdesi për fëmijët. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, ajo nuk ka zbritur nga autobusi dhe ka mbetur brenda automjetit të parkuar pranë institucionit.
Mungesa e fëmijës nuk është konstatuar gjatë gjithë ditës. Sipas të dhënave paraprake, qendra e kujdesit ka kuptuar se vajza mungonte vetëm kur nëna e saj ka mbërritur pak para orës 16:00 për ta marrë.
Pas njoftimit, punonjësit kanë shkuar menjëherë drejt autobusit, ku e kanë gjetur vogëlushen pa shenja jete. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, zjarrfikësit, ekipet e urgjencës mjekësore dhe grupet e mbështetjes psikologjike.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta shpëtuar, 18-muajshja është shpallur e vdekur në vendngjarje.
Policia Gjyqësore Portugeze ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur përgjegjësi nga persona të përfshirë në transportin dhe kujdesin ndaj fëmijës.
Hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore kanë nisur mbledhjen e provave dhe marrjen e dëshmive për të sqaruar se si vogëlushja ka mundur të mbetet për orë të tëra brenda automjetit pa u vënë re.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






