

MADRID – Zjarret masive që kanë përfshirë disa zona të Spanjës dhe Francës kanë shkaktuar evakuimin e mbi 65 mijë personave, ndërsa autoritetet spanjolle paralajmërojnë se një nga vatrat më të mëdha pranë Madridit është aktualisht jashtë kontrollit.
Shefi i menaxhimit të emergjencave në qeverinë rajonale të Madridit, Carlos Novillo, deklaroi se zjarri ndodhet në pikën më kritike dhe se përhapja e flakëve tejkalon për momentin kapacitetet e ekipeve zjarrfikëse për ta neutralizuar.
Sipas tij, zjarri po avancon drejt komunave Robledo de Chavela dhe Fresnedillas de la Oliva, të vendosura disa dhjetëra kilometra në perëndim të kryeqytetit spanjoll. Banorët e këtyre zonave janë urdhëruar të largohen për arsye sigurie.
“Nuk është e mundur të luftohet zjarri në atë zonë, ndaj po ndërmerren masa mbrojtëse”, tha Novillo, duke theksuar se prioriteti i autoriteteve është mbrojtja e jetës së banorëve.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 25 mijë persona janë evakuuar në Spanjë, ndërsa mbi 20 mijë të tjerë janë këshilluar të qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre për shkak të rrezikut nga zjarri dhe tymi.
Situata është e rëndë edhe në Francë, ku në rajonin Gironde, në jugperëndim të vendit, më shumë se 44 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre gjatë dy ditëve të fundit për shkak të një zjarri të madh.
Autoritetet në të dyja vendet vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit, ndërsa temperaturat e larta dhe kushtet e thata atmosferike po vështirësojnë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






