Transmetuar më 24-07-2026, 22:09

SEUL – Një nga proceset më të bujshme të divorcit në Korenë e Jugut ka marrë një tjetër zhvillim, pasi miliarderi Chey Tae-won, president i SK Group, është urdhëruar nga një gjykatë koreane t’i paguajë ish-bashkëshortes së tij, Roh Soh-yeong, një dëmshpërblim prej 565 milionë eurosh.

Vendimi, i cili ende pritet të finalizohet, vjen pas një beteje ligjore që mediat koreano-jugore e kanë cilësuar si “divorci i shekullit”. Shuma e përcaktuar nga gjykata është më e ulët se kërkesa fillestare prej rreth 830 milionë eurosh, që ishte vendosur në një fazë të mëparshme të procesit në vitin 2024.

Çështja nisi pas prishjes së martesës 35-vjeçare mes Chey Tae-won dhe Roh Soh-yeong, vajza e ish-presidentit të Koresë së Jugut, Roh Tae-woo. Konflikti u përshkallëzua pas zbulimit se miliarderi kishte pasur një fëmijë me një grua tjetër.

Avokatët e Chey Tae-won kanë deklaruar se klienti i tyre shpreh keqardhje për shqetësimet e shkaktuara nga procesi i divorcit dhe se do të reagojë më konkretisht pas shqyrtimit të plotë të vendimit gjyqësor.

Chey Tae-won drejton SK Group, një nga konglomeratet më të mëdha familjare të Koresë së Jugut, i dyti për nga fuqia ekonomike pas Samsungut. Grupi zotëron mes të tjerash edhe SK Hynix, një prej prodhuesve më të mëdhenj të çipave elektronikë në botë, i cili furnizon kompani të teknologjisë së avancuar.

Gjatë procesit gjyqësor, avokatët e Roh Soh-yeong argumentuan se ajo kishte dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e pasurisë së familjes dhe se Chey kishte përfituar edhe nga mbështetja e vjehrrit të tij, i cili shërbeu si president i Koresë së Jugut nga viti 1988 deri në vitin 1993.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit