

Lamborghini, G-Class, vila dhe miliona në banka! Shteti konfiskon pasurinë 1.8 milionë euro: Dyshohet se u krijua nga droga
Tetë pasuri të paluajtshme, 12 automjete dhe gjashtë llogari bankare, me vlerë të përgjithshme rreth 1.8 milionë euro, janë konfiskuar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit dhe kanë kaluar në pronësi të shtetit shqiptar.
Pasuritë rezultojnë të regjistruara në emër të shtetasit me inicialet A.M., të identifikuar si Arbër Muça, si dhe të personave të lidhur me të. Sipas organit të akuzës, pasuria nuk justifikohej me të ardhura nga burime të ligjshme dhe dyshohet se është krijuar nga veprimtari kriminale që lidhet me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Vendimi për konfiskimin është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të procedimit pasuror nr. 3 të vitit 2024.
Prokuroria e Fierit bëri të ditur se gjatë hetimit pasuror është kryer një analizë e zgjeruar financiare, nga e cila ka rezultuar një diferencë e konsiderueshme ndërmjet pasurive të krijuara, zotëruara ose administruara nga personat e përfshirë dhe të ardhurave të tyre të ligjshme.
Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve janë zbuluar edhe elemente që ngritën dyshime se disa prej pasurive, ndonëse ishin regjistruar formalisht në emër të personave të tjerë, kontrolloheshin ose administroheshin në të vërtetë nga subjektet nën hetim.
Organi i akuzës dyshon se regjistrimi i pasurive në emra të tjerë është përdorur për të fshehur pronarin real dhe origjinën e parave të përdorura për blerjen e tyre.
Pas shqyrtimit të provave të mbledhura gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor, gjykata vlerësoi se plotësoheshin kushtet ligjore për vendosjen e masës parandaluese të konfiskimit.
Mes pasurive të konfiskuara ndodhen prona në Fier dhe Tiranë, automjete luksoze si Lamborghini Urus, Mercedes-Benz G-63 AMG, Audi RS-Q8 dhe Audi S8, si dhe shuma të konsiderueshme në llogari bankare.
Pasuritë e paluajtshme të konfiskuara
Gjykata vendosi kalimin në pronësi të shtetit të tetë pasurive të paluajtshme:
Një njësi me sipërfaqe 200 metra katrorë në Fier;
Tre sipërfaqe trualli, secila me nga 210 metra katrorë, në Fier;
Një objekt dykatësh me sipërfaqe ndërtimi 625.1 metra katrorë në Fier;
Një njësi me sipërfaqe 100 metra katrorë në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Fier;
Një apartament 3+1 me sipërfaqe totale 127.4 metra katrorë në Tiranë;
Një vendparkim me sipërfaqe 30.14 metra katrorë në Tiranë.
Konfiskohen 12 automjete, mes tyre Lamborghini dhe G-Class
Pjesë e pasurive të konfiskuara janë edhe 12 automjete dhe mjete motorike. Në listën e bërë publike nga Prokuroria e Fierit përfshihen:
Lamborghini Urus, i vitit 2018;
Mercedes-Benz G-63 AMG, i vitit 2020;
Audi S8, i vitit 2021;
Audi RS-Q8, i vitit 2021;
Audi Q7, i vitit 2016;
BMW X5, i vitit 2014;
BMW X5, i vitit 2007;
Volkswagen Touran, i vitit 2013;
Mitsubishi L200, i vitit 2014;
Mercedes-Benz C220 CDI, i vitit 2001;
KIA Carnival, i vitit 2000;
Autobus Neoplan, i vitit 2003.
Sekuestrohen paratë në gjashtë llogari bankare
Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e parave të depozituara në gjashtë llogari bankare në euro dhe në lekë.
Në emër të A.M. u konfiskuan:
51,945.71 euro;
5,327,769.38 lekë;
1,867.39 euro;
405,775.82 lekë.
Në emër të shtetasit me inicialet E.M. u konfiskuan:
1,039.07 euro;
6,166.80 lekë.
Prokuroria: Hetimi për pastrim parash vijon
Prokuroria e Fierit njoftoi se hetimet vijojnë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, gjatë hetimit janë evidentuar edhe pasuri të tjera me vlerë të konsiderueshme, për të cilat po vijojnë verifikimet.
Prokuroria bëri të ditur se do të vijojë zbatimin me përparësi të të ashtuquajturit “ligji antimafia”, duke intensifikuar hetimet financiare dhe pasurore për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale.
“Privimi i autorëve nga përfitimet ekonomike të veprimtarisë kriminale mbetet një nga prioritetet kryesore të organit të akuzës, si një mjet efektiv në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe kriminalitetit me përfitim pasuror”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Fierit. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






