

TIRANË – Një valë solidariteti është krijuar në mbështetje të File Bulkut dhe djalit të saj Endi, i cili është në spektrin e autizmit, pas incidentit të ndodhur pranë Kuvendit dhe deklaratave të bëra më pas nga kryeministri Edi Rama.
Përmes një fushate humanitare në platformën GoFundMe, qytetarë të shumtë kanë kontribuar për familjen, duke bërë që shuma e mbledhur deri tani të arrijë rreth 150 mijë dollarë.
File Bulku ka reaguar pas deklarimeve lidhur me praninë e saj në protestën para Parlamentit, duke sqaruar se ajo nuk kishte marrë pjesë si protestuese, por ndodhej aty pasi po shoqëronte djalin e saj për terapi. Ajo ka deklaruar se gjatë protestës djali i saj, i cili është me spektër autik, është prekur nga situata e krijuar.
Fushata humanitare është organizuar nga organizata jofitimprurëse “Brandon Forever 22 Legacy”, e cila ka bërë të ditur se familja jeton në kushte të vështira dhe se banesa e tyre ka nevojë për rikonstruksion. Fondet e mbledhura synojnë të përdoren për përmirësimin e kushteve të jetesës, trajtimin dhe kujdesin e nevojshëm për Endin.

Fillimisht objektivi i fushatës ishte mbledhja e 85 mijë dollarëve, por kontributet e qytetarëve kanë tejkaluar pritshmëritë, duke arritur në rreth 150 mijë dollarë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, komentoi situatën duke kritikuar organizatorët e protestës dhe duke iu referuar mbështetjes sociale për fëmijët me spektër autik dhe familjet e tyre.
Organizatorët e fushatës kanë bërë thirrje për vijimin e kontributeve, duke theksuar se ndihma do të përdoret për të ofruar mbështetje konkrete për familjen Bulku dhe nevojat e djalit të saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






