

PRISHTINË – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Sipas vendimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Leon Perllaska, dënimi me burg do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë, ndërsa gjoba duhet të paguhet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Gjykata, megjithatë, refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar në vlerë prej 172.600 eurosh.
Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, Ahmeti u deklarua i pafajshëm para gjykatës, duke argumentuar se shuma prej 172.600 eurosh përbënte ndihmë financiare nga familja e tij. Ai theksoi gjithashtu se pasuria e tij ishte verifikuar disa herë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Ahmetit në dhjetor të vitit 2025, duke e akuzuar për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë. Sipas aktakuzës, ish-kryebashkiaku kishte deklaruar me dashje të dhëna të pasakta, pasi nuk kishte raportuar depozita në para të gatshme për periudhën 2018–2022, në vlerë totale prej 172.600 eurosh.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, mosdeklarimi i pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë parashikon dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.
Ky konsiderohet një nga rastet e para në Kosovë ku një zyrtar i lartë publik dënohet me burgim për mosdeklarim të pasurisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






