

TIRANË – Hetimet për ekzekutimin mafioz të 50-vjeçarit Edmond Sula, i cili u vra me snajper më 12 korrik pranë banesës së tij në Bërxullë, janë përqendruar në konfliktet e tij të fundit. Në kuadër të veprimeve hetimore, Gjykata e Tiranës ka firmosur urdhër-kontrolle për disa banesa.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve në terren, Policia ka ndaluar një 43-vjeçar pasi iu gjet një pistoletë pa leje, mirëpo nuk ka prova që e implikojnë atë drejtpërdrejt në vrasjen e Sulës. Deri më tani, kontrollet nuk kanë prodhuar prova vendimtare për zbardhjen e ngjarjes.
Pse dyshon Policia për ekzekutim të mirëmenduar?
Grupi hetimor dyshon se në organizimin dhe ekzekutimin e 50-vjeçarit kanë marrë pjesë më shumë se një person. Nga rindërtimi i ngjarjes rezulton se:
Saktësi dhe distancë: Qitësi ka qëlluar nga një distancë prej rreth 50 metrash sapo viktima ka hyrë në oborrin e banesës.
Njohje e terrenit: Autori është larguar në këmbë përmes një zone të pyllëzuar pranë shtëpisë, duke humbur gjurmët.
Shmangie e kamerave: Policia dyshon se autori ka pasur informacion të detajuar mbi vendndodhjen e kamerave të sigurisë në zonë dhe në shtëpinë e viktimës, duke i shmangur ato gjatë largimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






