

TIRANË – Fëmijët pa kujdes prindëror që vendosen në kujdes alternativ në familje pritet të përfitojnë mbështetje financiare mujore nga shteti, sipas një projektvendimi të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Projektvendimi “Për masën e pagesës për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje” parashikon tre forma mbështetjeje financiare, duke përfshirë si fëmijët përfitues ashtu edhe familjet kujdestare që ofrojnë këtë shërbim.
Sipas draftit, çdo fëmijë i vendosur në kujdes alternativ do të përfitojë:
12 mijë lekë në muaj për përmbushjen e nevojave të përditshme të jetesës; 35 mijë lekë në muaj për mbulimin e shpenzimeve të tjera të lidhura me kujdesin dhe mirëqenien.
Në total, mbështetja mujore për një fëmijë mund të arrijë deri në 47 mijë lekë, sipas parashikimeve të projektvendimit.
Ndërkohë, familjet që ofrojnë kujdes alternativ profesional do të përfitojnë një pagesë mujore në nivelin e pagës minimale. Sipas projektit, prindi kujdestar do të konsiderohet i punësuar pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, në bazë të një kontrate pune në përputhje me Kodin e Punës.
Për vitin e parë të zbatimit, fondi i parashikuar për pagesat direkte ndaj fëmijëve është 27.7 milionë lekë, ndërsa deri në fund të vitit 2028 kjo shumë pritet të arrijë në 53.2 milionë lekë, duke reflektuar edhe indeksimin vjetor prej 2% për inflacionin.
Për pagesat e familjeve kujdestare, në vitin e parë janë planifikuar 42 milionë lekë, me rreth 60 familje përfituese. Në vitin 2027, numri i familjeve pritet të rritet në 140, ndërsa fondi i nevojshëm llogaritet në 98 milionë lekë.
Në total, për zbatimin e skemës gjatë periudhës 2026–2028, qeveria parashikon një fond prej rreth 221 milionë lekësh, ose rreth 2.3 milionë euro.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, nisma synon të forcojë kujdesin alternativ në mjedis familjar, duke u krijuar fëmijëve pa kujdes prindëror mundësinë të rriten në një ambient sa më të afërt me familjen, në vend të qëndrimit në institucione rezidenciale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






