

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para grupit parlamentar të Partisë Socialiste dokumentin e titulluar “Besa”, të cilin e cilësoi si një pikë kthese për mandatin e katërt të qeverisë dhe për mënyrën e funksionimit të administratës publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rasti i një fermeri nga Lushnja, të identifikuar si Arbër, të cilin e përmendi si shembull të mungesës së komunikimit mes institucioneve dhe qytetarëve. Sipas kryeministrit, fermeri kishte pritur tre vite për një përgjigje ndaj kërkesës së tij dhe informacioni i dhënë më pas ishte perceptuar si mungesë respekti.
Rama theksoi se problemi nuk qëndron te qytetarët që protestojnë, por te administrata që, sipas tij, shpesh nuk arrin të komunikojë në kohë dhe në mënyrë të qartë me qytetarët.
“Arbri nuk është problemi, por prova dhe sprova që kemi me veten tonë. Pikërisht nga raste të tilla lindi dokumenti që kam titulluar ‘Besa’. Nuk gjeta një fjalë më të përshtatshme për kthesën që duhet të bëjmë në këtë mandat të katërt, në mënyrë që njerëzit të mos ndihen të prerë në besë dhe të papërfillur,” u shpreh Rama.
Kryeministri tha se dokumenti synon të ndryshojë kulturën e komunikimit dhe të shërbimit në administratën publike, duke vendosur qytetarin në qendër të vendimmarrjes.
Sipas tij, dokumenti “Besa” do t’u shpërndahet të gjithë deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste për t’u shqyrtuar gjatë periudhës së pushimeve verore, me synimin që të shërbejë si bazë për përmirësimin e marrëdhënies mes institucioneve dhe qytetarëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






