

TIRANË – Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e fundit për mbrojtjen e lagunave janë dëshmi e ndryshimit të pritshmërive të qytetarëve ndaj qeverisjes dhe e zhvillimit të demokracisë në vend.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se dikur ishte e paimagjinueshme që në të njëjtin bulevard ku, sipas tij, protestuesit humbnin jetën gjatë demonstratave, të zhvillohej një protestë masive për çështje mjedisore.
“Askush nuk do ta kishte imagjinuar se në të njëjtin bulevard ku dikur protestuesit vriteshin, një ditë do të zhvillohej një protestë për mbrojtjen e lagunave dhe biodiversitetit,” u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve në protesta të tilla nuk duhet parë si mungesë mirënjohjeje ndaj qeverisë, por si shprehje e rritjes së pritshmërive për standarde më të larta.
Sipas tij, qytetarët nuk e krahasojnë më Shqipërinë me të kaluarën, por me objektivat që presin të arrihen në të ardhmen.
“Pakënaqësia nuk rritet aty ku njerëzit kanë humbur shpresën, por aty ku shpresa është rritur më shpejt se realiteti. Qytetarët kërkojnë më shumë dhe kjo është e drejtë,” deklaroi Rama.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri theksoi se çdo përpjekje për të minimizuar kërkesat e qytetarëve do të ishte e gabuar, duke shtuar se kjo e drejtë është më e madhe se çdo individ apo forcë politike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






