

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave kundër ndryshimeve ligjore, duke deklaruar se një pjesë e kritikave ndaj qeverisë po ushqehen nga individë me “agjenda politike”, përfshirë, sipas tij, edhe disa eurodeputetë.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024 janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe do t’i nënshtrohen një procesi të detajuar verifikimi në kuadër të negociatave për anëtarësim.
Sipas kryeministrit, disa prej kritikëve kanë mbajtur qëndrime pa u njohur me përmbajtjen e ndryshimeve ligjore.
“Ndryshimet e vitit 2024 janë përdorur si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me agjendat e tyre politike, përfshirë edhe disa eurodeputetë që, në rastin më të mirë, nuk e kanë lexuar se çfarë kemi ndryshuar, ndërsa në rastin më të keq kanë zgjedhur t’u besojnë pretendimeve të ngritura ndaj qeverisë,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se procesi i harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian do të vijojë në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe se çdo dispozitë do të shqyrtohet në kuadër të negociatave.
Rama u ndal edhe te protestat e zhvilluara në Tiranë, duke i cilësuar ato si dëshmi të një shoqërie demokratike, ndërsa kujtoi se, sipas tij, në të kaluarën protestat përballeshin me dhunë shtetërore.
“Ky konflikt i stisur do të zgjidhet në rrugën e negociatave, ku asnjë ndryshim nuk kalon pa miratimin e Komisionit Europian,” deklaroi kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






