

Vijojnë negociatat për dorëzimin e Refit Buzit, i cili dyshohet si autor i ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Roskovec.
Sipas burimeve nga vendngjarja, Buzi u ka kërkuar autoriteteve më shumë kohë, ndërsa pretendon se konflikti ka nisur për shkak të familjarëve të ish-partneres, të cilët, sipas tij, i kanë marrë një shumë parash.
“Më kanë marrë në qafë, më jepni një orë kohë”, mësohet të ketë thënë ai gjatë komunikimit me negociatorët.
Situata mbetet e tensionuar, pasi i dyshuari vazhdon të jetë i armatosur dhe ka kërcënuar se mund t’i bëjë keq vetes.
Grupi negociator është afruar pranë vendit ku ndodhet Buzi dhe po vijon komunikimin me të, me synim bindjen e tij që të ulë armën dhe të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.
Forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe po mbajnë situatën nën kontroll, ndërsa negociatat vijojnë.
E PLOTË Prononcimi i Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues Erion Ahmeti
Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale "RENEA".
Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.
Sajë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






