

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në protestat e zhvilluara kundër qeverisë kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë të pakënaqur, por edhe votues, mbështetës dhe anëtarë të Partisë Socialiste, si dhe punonjës të administratës publike.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se protestuesit nuk kishin dalë kundër investimeve apo zhvillimit të vendit, por për të shprehur kërkesën e tyre për standarde më të larta në qeverisje.
Sipas tij, mes pjesëmarrësve në protestë kishte edhe punonjës të administratës shtetërore, të cilët vijonin punën gjatë ditës dhe në mbrëmje i bashkoheshin protestës.
“Mes tyre kishte votues, mbështetës e anëtarë të Partisë Socialiste, por edhe punonjës të administratës që gjatë ditës ishin në punë dhe në mbrëmje shkonin në bulevard. Ata nuk dolën për të sulmuar qeverinë apo vetëm për t’iu bashkuar thirrjes ‘Rama, jepe dorëheqjen’, por sepse forca e protestës ishte më imponuese sesa figura ime,” u shpreh kryeministri.
Rama theksoi gjithashtu se pjesëmarrja e punonjësve të administratës në protesta tregon, sipas tij, se Shqipëria e sotme nuk funksionon më me praktikat e së kaluarës, kur punonjësit e shtetit ndëshkoheshin për bindjet ose angazhimin e tyre politik.
“Shqipëria e re që kemi ndërtuar nuk jeton më me hijen e së vjetrës, ku njerëzit largoheshin nga puna vetëm pse merrnin pjesë në një aktivitet politik të opozitës,” deklaroi Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






