Transmetuar më 24-07-2026, 12:17

TIRANË – Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar kundër përfshirjes së zonave të Shalës, Shoshit dhe Pultit në nismën e “Paketës së Maleve”, duke shprehur shqetësime për ndikimin që, sipas saj, kjo politikë mund të ketë mbi pronësinë dhe identitetin e këtyre trevave.

Në një reagim publik, Koçeku iu është drejtuar banorëve të këtyre zonave, duke deklaruar se “Paketa e Maleve” nuk duhet parë si një zgjidhje automatike për zhvillimin, por si një proces që mund të sjellë, sipas saj, tjetërsim të tokave.

Ajo ka theksuar se përpara çdo premtimi për investime dhe zhvillim, banorët duhet të kërkojnë njohjen e pronësisë dhe të drejtën për të vendosur vetë mbi tokat e tyre.

“Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quajtë zhvillim”, është shprehur Koçeku në reagimin e saj.

Deputetja ka ngritur gjithashtu shqetësime për mungesën e infrastrukturës bazë në këto zona, duke përmendur problemet me dokumentacionin e pronësisë, rrugët dhe energjinë elektrike. Sipas saj, këto çështje duhet të marrin zgjidhje përpara zbatimit të projekteve të zhvillimit.

Koçeku u ka bërë thirrje banorëve të Shalës, Shoshit dhe Pultit që të ruajnë lidhjen me tokat e tyre dhe identitetin e këtyre trevave, duke paralajmëruar se “pushtimet gjithmonë kanë ardhur me maska të reja”.

“Malet tona nuk futen në paketë”, ka deklaruar ajo, duke kundërshtuar mënyrën e trajtimit të kësaj nisme nga qeveria.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit