

TIRANË – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados si prokuror. Sipas vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, gjykata nuk ka nisur shqyrtimin në themel të çështjes, pasi ka vlerësuar se Veliaj nuk kishte interes të drejtpërdrejtë, por vetëm interes të tërthortë në këtë proces.
Padia ishte depozituar më 23 janar 2026 në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë nga Erion Veliaj kundër institucionit të Presidentit të Republikës të periudhës 2007–2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado. Në kërkesë-padi, Veliaj kërkonte konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Dados si prokuror, duke pretenduar se në momentin e emërimit nuk plotësonte kriteret ligjore për ushtrimin e këtij funksioni.
Sipas pretendimeve të ngritura në padi, emërimi i Ols Dados ishte kryer në kundërshtim me ligjin, pasi ai nuk kishte përmbushur kriteret e kërkuara për statusin e magjistratit. Veliaj kërkonte gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të merrte vendim për përfundimin e statusit të magjistratit dhe ushtrimit të detyrës së prokurorit nga Dado.
Gjatë seancës gjyqësore, Veliaj deklaroi se emërimi i Dados kishte pasoja të drejtpërdrejta mbi procesin penal ndaj tij. Ai pretendoi se akti i emërimit ishte “nul ab initio” dhe se mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohej si një pasuri që mund t’i merrej.
Ndërkohë, ish-prokurori Tom Deda kërkoi të përfshihej si palë e tretë në proces, duke pretenduar se shkarkimi i tij nga detyra në vitin 2008 kishte lidhje me krijimin e një vendi vakant për emërimin e Ols Dados. Deda deklaroi se, nëse emërimi i Dados do të shpallej i paligjshëm, ai do të kërkonte dëmshpërblim për shkak të largimit që e konsideron të padrejtë.
Me vendimin e saj, Gjykata Administrative ka mbyllur këtë fazë të procesit pa hyrë në shqyrtimin e ligjshmërisë së dekretit të emërimit të Ols Dados.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






