Transmetuar më 24-07-2026, 10:40

TIRANË — Kryebashkiaku Erion Veliaj ka marrë pjesë këtë mëngjes në seancën e zhvilluar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ku po shqyrtohet padia e tij ndaj prokurorit Ols Dado, me pretendimin se ky i fundit është zgjedhur në kundërshtim me ligjin.

Në fokus të seancës ishte kërkesa e "Asociacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë" për t’u pranuar si palë në proces. Mbrojtësi ligjor i Veliajt, Plarent Ndreca, kërkoi pranimin e shoqatës duke e cilësuar çështjen me interes të lartë publik dhe duke pretenduar se dekreti i emërimit të prokurorit Dado është i pavlefshëm.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj pretendoi se në proces po krijohet asimetri për shkak të mungesës së institucioneve si KLP dhe Avokatura e Shtetit, ndërsa artikuloi akuza të forta mbi ndalimin e tij.

"Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga zyra. Mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si plaçkë. Nëse më rrëmbyen mua, mund të rrëmbejnë këdo tjetër. Është pesha e këtij gjykimi që duhet të rikthejë besimin te drejtësia," u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, mbrojtja e prokurorit Ols Dado e kundërshtoi kërkesën për përfshirjen e shoqatës në proces, duke argumentuar se bëhet fjalë për një akt administrativ individual dhe se provat e paraqitura nuk e arsyetojnë ndërhyrjen e saj.

Gjykata pritet të marrë vendimin nëse do ta pranojë shoqatën si palë në këtë gjykim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit