

FIER — Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Vidhisht të Roskovecit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një krim i rëndë familjar ka lënë të vdekur një person, ka plagosur rëndë një tjetër dhe ka pasuar me pengmarrjen e një 25-vjeçareje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, kur 35-vjeçari Ferit (Nertil) Buzi ka hyrë i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka, teksa ata ishin duke fjetur. Autori i ka kërkuar ish-të fejuarës së tij, Rozalina Plaka, të rikthehej me të. Pas refuzimit nga ana e saj dhe e prindërve, 35-vjeçari ka hapur zjarr duke lënë të vdekur në vend 58-vjeçarin Kosta Plaka dhe duke plagosur rëndë bashkëshorten e tij, Belere Plaka.
Pas krimit, autori ka marrë me forcë ish-të fejuarën dhe është larguar nga vendngjarja me një automjet. Sipas të afërmve, konflikti kishte nisur muaj më parë pas ndarjes së çiftit, ndërsa ndaj Buzit Gjykata e Fierit kishte caktuar më parë masën e sigurisë "Arrest në shtëpi".
Së fundmi, mësohet se 35-vjeçari ka liruar ish-të fejuarën e tij, ndërsa vetë ndodhet i rrethuar nga Forcat Speciale RENEA, të cilat po negociojnë për dorëzimin e tij.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






