Transmetuar më 24-07-2026, 10:13

I dyshuari i vrasjes sot në Roskovec të Fierit, Refit Buzi, është lokalizuar aktualisht nga policia lokale dhe janë ndaluar në një zonë jo larg fshatit Vidhisht ku më herët sot ndodhi vrasja e rëndë, raporton noa.al duke cituar burime nga policia e qarkut.

Të njëjtat burime thanë për noa.al se momentalisht është duke u negociuar me të dyshuarin në përpjekje për ta bindur që të dorëzohet dhe të mos shtojë bilancin e viktimave.

"Ne jemi duke negociuar momentalisht me të dyshuarin dhe jemi në proces" tha një zyrtar i policisë lokale.

"Autori ka lëshuar shtetasen R. P (ish bashkëshorten), që e mbante peng, po negociohet që të dorëzohet dhe tani është i rrethuar nga forcat e policisë", shtoi burimi për noa.al.

Refit Buzi, 35 vjeç, biznesmen nga Roskoveci i Fierit, akuzohet se rrëmbeu ish të fejuarën pasi i vrau babanë dhe i plagosi nënën. Ai ishte ishte nën arrest shtëpie për përndjekje, dëshmuan të afërm të viktimës dhe fakti u konfirmua nga noa.al edhe nga burime policore lokale.

Refit Buzi, 35 vjeç nga Fieri ndonëse ishte nën masën e sigurisë së arrestit shtëpiak për vepër penale, nuk ka ngurruar sot herët në mëngjes që të shkojë te shtëpia e familjes së ish të fejuarës së tij Rozalinda 24 vjeçe dhe me armën e gjahut që kishte me vete, të kryente masakër.

Ai qëlloi për vdekje 58 vjeçarin Kosta Plaka duke i marrë jetën në vend, si dhe plagosi rëndë Belere Plaka 55 vjeçe. Menjëherë më pas, mori me forcë ish të fejuarën Rozalinda dhe me armën në dorë u zhdukën me një makinë në drejtim të paditur.

Sipas banorëve të zonës, Refik Buzi dhe e reja kishin qenë të fejuar, por marrëdhënia e tyre ishte ndërprerë kohë më parë. Dyshohet se motivi i krimit lidhet me konfliktet e krijuara pas prishjes së fejesës, megjithëse hetimet janë ende në fazën paraprake.

Ajo që dihet deri tani është se Refiti është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij, së bashku me të fejuarën, Rozalinda Plaka, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Aktualisht nuk dihet asgjë për fatin e tyre edhe pse policia thotë se po i kërkon në drejtime të ndryshme.

Në vendngjarje sakaq kanë dalë dëshmitë e para. Vëllai i viktimës, në një reagim për media, ka deklaruar se vrasja ishte e paramenduar, kjo pasi ish-dhëndri i familjes kishte kërcënuar disa herë se, në rast se çifti nuk bashkohej, do të vriste familjen e saj.

Ja çfarë tregoi ai: “Dëgjuam vetëm zhurmë dhe që bërtisnin brenda. Ne nuk mund të hynim sepse nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Ejani se do t’ju vras të gjithëve’. Policia ka ardhur pas një ore. E mori djali në telefon. Autori ishte i armatosur. Doli nga dritarja, nga pjesa e pasme e shtëpisë, sepse e kishte lënë aty makinën. Mori dhe çupën me vete dhe iku. Vajza qëndronte këtu. Kishin vite të fejuar, por kishin probleme. Ka shkuar 3 herë në polici, është arrestuar. Shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë lodër dhe e futën brenda. Tani ishte në arrest shtëpie, kërcënonte gjithmonë. I thoshte vajzës: ‘Ti do të vish tek mua, pa mua ti nuk e bën dot jetën’. Bënte shantazhe. Kjo ishte një vrasje e paramenduar. Kur hyra brenda pashë tim vëlla të shtrirë atje…”, tha ai.

Nipi i viktimës ka rrëfyer momentet e para të ngjarjes, duke deklaruar se u zgjua nga zhurma e të shtënave dhe tentoi të njoftonte menjëherë Policinë.

“Dëgjova krisma rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ishim të gjithë në gjumë. U zgjova dhe dola në ballkon, dëgjova zhurmë nga shtëpia e xhaxhait. Pastaj dëgjova krismën e dytë. I rashë policisë, por nuk e hapte telefonin. Kjo ngjarje ishte e paralajmëruar. Personi në fjalë është kapur disa herë, policia e kapte, prokuroria e nxirrte dhe ja sot ndodhi kjo ngjarje e rëndë”, u shpreh ai.

Sipas dëshmisë së tij, familja kishte qenë në dijeni të konflikteve të vazhdueshme mes autorit të dyshuar dhe ish-bashkëshortes së tij, ndërsa ai pretendon se 35-vjeçari e kishte kërcënuar më herët të renë, edhe në Tiranë.

“Nusja e xhaxhait është në spital, nuk e dimë si është gjendja. Ai ka marrë me vete edhe vajzën, e cila është 24 vjeçe. Kanë pasur konflikte të vazhdueshme. Kanë qenë të martuar, janë ndarë dhe sot ndodhi kjo tragjedi. Ai ka shkuar edhe në Tiranë dhe e ka kërcënuar vajzën. Policia e ka marrë disa herë, por e kanë nxjerrë”, deklaroi nipi i viktimës.

DINAMIKA E NGJARJES

Një djalë i ri është zhdukur sot në mëngjes, pak pasi shkoi te shtëpia e familjes së ish gruas së tij dhe hapi zjarr duke i kurrë jetën babait të bashkëshortes me të cilën është ndarë dhe duke plagosur rëndë nënën e saj. Nuk është mjaftuar me kaq, me armën e gjahut në krah, ka rrëmbyer ish gruan dhe janë larguar në drejtim të paditur me makinën e tij.

Çfarë ndodhi sot në mëngjes

Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht që është pjesë e bashkisë Roskovec në qarkun Fier, djali 35 vjeçar Refit Buzi, akuzohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin Kosta Plaka, 58 vjeç.

Jo vetëm kaq ai ka hapur zjarr dhe ka plagosur edhe ish-vjehrrën e tij, shtetasen Belere Plaka, rreth 55 vjeçe. Gruaja është plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Rozalinda Plaka, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit